Inflacioni në Kosovë arrin 6.5 për qind, transporti dhe energjia nxisin rritjen e çmimeve
Çmimet e konsumit në Kosovë vijuan rritjen gjatë korrikut 2026, duke e çuar inflacionin vjetor në 6.5 për qind.

Transporti regjistroi shtrenjtimin më të fortë, me 17.8 për qind, ndërsa strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse u shtrenjtuan me 11.1 për qind.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) u rrit me 6.5 për qind në korrik 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Edhe në raport me qershorin 2026, çmimet u rritën me 0.6 për qind.
Rritjen më të madhe vjetore e regjistroi transporti, me 17.8 për qind. Pas tij renditet grupi "Strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse", ku çmimet u rritën me 11.1 për qind.
“Në muajin korrik 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,5 % krahasuar me muajin korrik 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (17,8 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,1 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,3 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,3 %); shëndetësi (4,0 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,7 %); veshje dhe këpucë (2,8 %); ushqime dhe pije joalkoolike (2,7 %); mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (2,5 %) dhe rekreacion, sport dhe kulturë (2,3 %),” thuhet në të dhënat e ASK-së.
Transporti me rritjen më të fortë të çmimeve
Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët u shtrenjtuan me 5.3 për qind në raport me korrikun e vitit të kaluar, po aq sa restorantet dhe shërbimet e akomodimit. Në grupin e shëndetësisë, çmimet u rritën me 4.0 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme shënuan rritje prej 3.7 për qind.
Çmimet e veshjeve dhe këpucëve u rritën me 2.8 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike, një nga kategoritë kryesore të shpenzimeve të familjeve, u shtrenjtuan me 2.7 për qind. Rritje vjetore u regjistrua edhe te mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë, me 2.5 për qind, si dhe te rekreacioni, sporti dhe kultura, me 2.3 për qind.
Në anën tjetër, çmimet e shërbimeve arsimore ranë me 0.5 për qind në raport me një vit më parë, ndërsa grupi "Informacion dhe komunikim" regjistroi rënie prej 0.1 për qind.
Çmimet rriten me 0.6 për qind edhe brenda një muaji
Presioni mbi çmimet vijoi edhe në krahasimin mujor. Në korrik 2026, IHÇK-ja u rrit me 0.6 për qind krahasuar me qershorin, ndërsa transporti kryesoi sërish me një rritje prej 4.3 për qind.
“Në muajin korrik 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur për 0,6 % krahasuar me muajin qershor 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transport (4,3 %); rekreacion, sport dhe kulturë (1,9 %); restorante dhe shërbime akomodimi (1,0 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,4 %); veshje dhe këpucë (0,3 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,1 %); dhe shërbimet arsimore (0,1 %),” njofton ASK.
Në baza mujore, rekreacioni, sporti dhe kultura regjistruan rritje çmimesh prej 1.9 për qind, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit u shtrenjtuan me 1.0 për qind. Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme u rritën me 0.4 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët me 0.3 për qind. Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, si dhe shërbimet arsimore, shënuan rritje mujore prej 0.1 për qind.
Megjithatë, gjatë korrikut pati edhe kategori me ulje çmimesh. Ushqimet dhe pijet joalkoolike regjistruan rënien më të madhe mujore, me 1.0 për qind. Çmimet e mobilieve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes rutinore të shtëpisë ranë me 0.6 për qind, ndërsa shëndetësia dhe informacioni e komunikimi shënuan rënie prej 0.1 për qind.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)